Superliga e Kosovës në futboll, të dielen do t’i ketë tri ndeshje në program.
Loja kryesore do të zhvillohet në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren, ku kampioni aktual Ballkani do të përballet me Lirinë e cila gjendet në vendin e fundit të renditjes tabelare.
Ndeshje mjaft interesante pritet të zhvillohet edhe në mes të Prishtinës dhe Ferronikelit.
Aktualisht, skuadra nga kryeqyteti gjendet në vendin e pestë me 26 pikë derisa ekipi nga Drenasi në vendin e shtatë, me 21 pikë, e që të dyja skuadrat e kanë synim renditjen sa më të mirë në tabelë dhe plasmanin në garat evropiane.
E treta, do të jetë po ashtu një takim i fortë mes Dukagjinit dhe Malishevës, që kanë një pozicionim goxha të mirë në tabelën e Superligës.
Ekipi nga Klina, është në vendin e gjashtë me 24 pikë, derisa Malisheva është në të katërtin me 29 pikë.
Të gjitha ndeshjet nisin nga ora 13:00.
Pjesa pranverore e Superligës ka nisur të shtunën, më 10 shkurt.