Bashkimi i kampionatit të Shqipërisë me atë të Kosovës ka qenë një ëndërr që tifozëritë në të dyja vendet e kanë kërkuar prej kohësh, duke e cilësuar mëse normale dhe të drejtë një kërkesë të tillë. Një aktivitet që dy federatat e kanë cilësuar shpesh si të pamundur për sa kohë që ekziston pengesa e ndërkombëtarëve.
Por, presidenti i UEFA-së, Aleksander Ceferin, në një intervistë dhënë së fundmi, është ngacmuar për bashkimet e ligave, nën petkun e të ashtuquajturave liga rajonale dhe me sa duket ai e as organizata që drejton nuk janë kundër.
Ceferini ka treguar se gjithnjë e më shumë vende po kërkojnë krijimin e kampionateve rajonale për të shtuar cilësinë e aktiviteteve të tyre.
“Në UEFA po mendojmë për kampionatet rajonale, po flasim me drejtuesit e federatave, por nuk besoj se në një kohë të shkurtër do të mund të ndërtojmë një ligë rajonale në ish-Jugosllavi. Situata politike është shumë e komplikuar, lufta është ende në mendjen e njerëzve. Nëse do të bëhen liga rajonale, do të ishte realiste të futej Sllovenia, Kroacia dhe disa vende në një grup dhe Serbia e vende të tjera në tjetrin. Gjithsesi, gjithnjë e më shumë shtete po interesohen për mundësinë e ligave rajonale, që do të rritnin vlerën e klubeve, ashtu si edhe të ardhurat nga sponsorët dhe e drejta televizive”, pranoi Ceferini, shkruan “Vipsport”.
Ky i fundit bëhet presidenti i parë i UEFA-s që shprehet në favor të kampionateve të bashkuara, por tregon edhe pengesat që duhen kaluar më parë. “Në përgjithësi UEFA-ja nuk ka asnjë gjë kundër ligave rajonale, por problemi është se si ligat në fjalë do të zgjidhnin pjesëmarrjen në aktivitetet evropiane. Ky është problemi që duhet të zgjidhë UEFA-ja. Dhe meqë ra fjala, ne nuk dëshirojmë që të krijojmë liga rajonale që të shkatërrojmë kampionatet kombëtare. Organizimi i ligave rajonale është një sipërmarrje serioze dhe asgjë nuk është vendosur, por po shyrtohet me seriozitet”, deklaroi presidenti i UEFA-s.
Me pak fjalë, nëse Shqipëria e Kosova duan të bashkojnë kampionatet nën petkun e një “lige rajonale”, mund ta bëjnë një gjë të tillë edhe me miratimin e UEFA-së. FSHF-ja dhe FFK-ja janë munduar që të ndërtonin një Kupë të përbashkët, por nuk kanë siguruar vetë financat për ta bërë një gjë të tillë si dhe nuk kanë as garancinë nga UEFA-ja që fituesi të ketë përfaqësim në Evropë, edhe pse të dy federatat janë gati të sakrifikojnë kupat kombëtarë për të.