Paraqitjet mbresëlënëse të Robert Lewandowskit këtë sezon me Bayern Munichun kanë bërë që ai ta thyejë rekordin e tij personal, me golin e 44-të të sezonit që e shënoi në takimin me Bayer Leverkusenin.
Kampioni në fuqi i Gjermanisë arriti ta vazhdojë ecurinë e fitoreve radhazi sot, kur siguroi fitore me rezultat 4:2 kundër Bayer Leverkusenit në BayArena, në kuadër të xhiros së 30-të të Bundesligës, transmeton GE.
Skuadra e Hansi Flick kishte qenë duke humbur me rezultat 1:0 pas vetëm nëntë minutave lojë në BayArena, mirëpo e përmbysi rezultatin e ndeshjes shumë shpejt, për ta kthyer sërish dominimin kundër rivalit.
Lewandowski arriti të kontribuojë sërish në fitoren e skuadrës së tij, siç ka bërë vazhdimisht në ndeshjet e këtij sezoni.
Polaku ka arritur të shënojë mbi 40 gola në pesë sezonet e fundit – duke i shënuar plot 235 gola në 279 paraqitjet e tij për Bayern Munichun.
Ai ka arritur sërish t’i shënojë të paktën 30 gola në Bundesligë, duke e arritur këtë rekord për të tretën herë në karrierë dhe për herë të parë që nga sezoni 2016/17.
Megjithatë, ai ka arritur t’i shënojë plot 44 gola në të gjitha garat këtë sezon, që është rekord më i mirë sesa që e kishte pasur gjatë sezonit 2016/16, që deri më tani ishte sezoni i tij më i mirë në karrierë./Gazeta-Topi/