Lëndimi i Benzemas, Ancelotti flet për gjendjen e sulmuesit francez

Karim Benzema u lëndua mbrëmë në duel me Mallorcën, ku ishte protagonist me dy gola dhe një asistim.

Mirëpo, pasi e shënoi golin e tretë ndaj ekipit të Vedat Muriqit, sulmuesi francez ndjeu dhimbje në kyçin e këmbës së majtë.

Ky fakt i alarmoi madrilenët, të cilët frikësohen se mund ta humbasin ish-futbollistin e Lyonit për duelin e fundjavës ndaj Barcelonës në “El Clasico”.

E për këtë punë ka folur trajneri Carlo Ancelotti, i cili shpreson që veterani i sulmit të rikthehet sa më shpejt dhe të mos mungojë në një ndeshje aq të rëndësishme si ajo e fundjavës që vjen.

“Ne duhet t’i presim ekzaminimet gjatë javës. Të shpresojmë të mos jetë diçka serioze”, ka thënë trajneri italian, teksa e konfirmoi edhe lëndimin e Rodrygos.

Benzema është duke e shfaqur një formë jetike dhe po e udhëheq me sukses ekipin madrilen drejt titullit të kampionit në La Liga, ku është +10 pikë ndaj Sevillës, ndërsa e ndihmoi skuadrën edhe për ta siguruar çerekfinalen e Ligës së Kampionëve me tre golat që i shënoi ndaj Paris Saint-Germainit.

Sot për sot, sulmi i Realit nuk mund të paramendohet pa Benzeman.

Edhe vetë lojtari shpreson të shërohet në ditët në vazhdim, në mënyrë që të jetë në dispozicion të trajnerit për “El Clasico”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *