Trajner i Chelseat, Frank Lampard, e përshkroi fitoren e skuadrës së tij me rezultat 2:0 kundër Liverpoolit në rundin e pestë të FA Cup si diçka që ndodh vetëm një herë, përderisa ai mbetet i përqendruar që ta shtyjë skuadrën e tij përpara këtë sezon.
“Reds” e humbën ndeshjen e parë të sezonit në Premierligë në fundjavën e kaluar, kur Liverpooli u mposht befasishëm nga Watfordi me rezultat 3:0, transmeton Gazeta Express.
Ndeshja e së shtunës i dha fund tentimit të Liverpoolit për ta fituar titullin e Premierligës pa e pësuar asnjë disfatë në të gjithë sezonin e ligës elitare të futbollit në Angli, për ta barazuar rekordin e Arsenalit në vitin 2004.
Pasi veçse kishin humbur kundër Atletico Madridit në ndeshjen e parë të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, tani Liverpooli është eliminuar nga FA Cup, pasi që golat e shënuara nga Ross Barkley dhe Ëillian i ndihmuan Chelseat ta fitojë ndeshjen me rezultat 2:0.
Kjo ndeshje kundër Chelseat bën që Liverpooli t’i ketë humbur tri nga katër ndeshjet e fundit, por Lampardi nuk dëshiroi t’i ikë realitetit të skuadrës së tij as pas ndeshjes, duke thënë se që është krenar që e mposhti Liverpoolin, por duke shtuar se është diçka që ndodh vetëm një herë.
“Jam me të vërtetë krenar sepse Liverpooli është skuadra më e mirë në tokë. Liverpooli dhe Man City e kanë dëshmuar veten gjatë dy vjetëve të fundit, por, këtë vit, ajo që po e bën Liverpooli në ligë është e mrekullueshme”, ka thënë Lampard.
“Kështu që ishte e veçantë për ne sot që e dhamë mundim, u përqendruam, ishim të përkushtuar dhe e patëm cilësinë për ndeshjen e sotshme”.
“Është diçka që ndodh vetëm një herë dhe ne jemi të vetëdijshëm se kemi ende shumë punë për të bërë për të arritur aty ku duam të jemi, por duhet edhe t’i festojmë këto momente”.