Se futbolli bashkon njerëzit sikur dëshmoi mbrëmja e së hënës kur futbollisti kosovar Mërgim Vojvoda dhe ai serb Sasha Lukiq po i jepnin një përqafim të fortë njëri-tjetrit.
Vojvoda arriti ta shënojë golin e fitores së Torinos në sfidën ndaj Parmas dhe ai gol gëzoi gjithë stafin torinez të cilët iu hodhën në përqafim futbollistit shqiptar. Një gjë e tillë nuk mungoi as nga futbollisti serb Lukiq.
E përditshmja ‘la Repubblica’ i ka kushtuar një artikull interesant kësaj teme me titullin “Vojvoda dhe Lukiq, mes Kosovës dhe Serbisë, një përqafim në emër të Demit”.
“Nëse do të ishin takuar në një kohë tjetër, në një vend tjetër dhe në një jetë tjetër, kush e di, mbase Mërgimi dhe Sashaa do ta kishin qëlluar njëri-tjetrin. Ose ata thjesht do ta kishin urryer njëri-tjetrin përgjatë atyre rrugëve ku historia, gjeografia dhe gjaku përzihen sepse, siç shkroi Pavese, çdo luftë është një luftë civile” shkruhet ndër të tjera në artikullin e gazetës italiane.