La Liga ka një lider të ri, Atletico Madridi shokon Barcelonën në shtëpi

Atletico Madrid ka shënuar fitore me rezultat 2-1 ndaj Barcelonës në udhëtim në kuadër të javës së 18-të në elitën e futbollit spanjoll.

Pjesa e parë u dominua tërësisht nga blaugranasit të cilët patën pothuajse gjatë gjithë kohës iniciativën.

Golin e epërsisë Barcelona e realizoi në minutën e 30-të përmes Pedrit i cili realizoi për 1-0 pas një asistimi nga Gavi.

Me të filluar pjesa e dytë, mysafirët në rastin e tyre të parë në këtë ndeshje arritën që të barazojnë shifrat në 1-1 me anë të Rodrigo De Paul (57’) i cili shënoi nga jashtë zonës.

Vendasit iu afruan golit seriozisht në minutën e 81-të kur gjuajtja e Dani Olmos përfundoi fare pranë shtyllës së djathtë të Jan Oblak.

Në minutën e 86-të Raphinha u gjend në një situatë shumë të mirë ballë për ballë Oblak, por ky i fundit e priti me shumë mund gjuajtjen e brazilianit.

Një tjetër rast të artë shënimi e pati edhe Pedri në minutën e 88-të, por sërish Oblak doli në skenë si një ‘hero’ për madrilenët për t’ia mohuar Barcelonës golin e avantazhit.

Teksa po i afroheshim çasteve të fundit të ndeshjes, pas një kundërsulmi ‘vrasës’, Atletico Madrid ia doli ta shënojë golin që përmbysi gjithçka me Alexander Sorloth (95′) për rezultatin 2-1.

Pas kësaj fitoreje Atletico Madridi ka marrë kreun e renditjes me 41 pikë të grumbulluara, duke lënë pas Barcelonën në vendin e dytë me 40 sosh, të cilët mund ta humbasin edhe atë pozitë në rast se Real Madridi fiton nesër (e diel) ndaj Sevillas./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *