La Liga do të ngreh një padi në gjykatat franceze përmes avokatit Juan Branco për të parandaluar që kontrata e re e Kylian Mbappe me Paris Saint-Germain të vleftësohet.
Organi qeverisës i futbollit spanjoll e konsideron marrëveshjen e re si ‘të paligjshme’ sepse shkel rregullat e Fair Play-it financiar të UEFA-s, shkruan Marca.
Në rast se gjykatat franceze nuk vendosin në favor të La Liga-s, do të kërkohet veprim nga Komisioni Evropian dhe nuk përjashtohet mundësia e paraqitjes së një padie në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian.
“Ne po kërkojmë një vendim të ri si ligji Bosman, i cili liberalizoi tregun në 1995,” tha Branco në një konferencë shtypi në një hotel në Paris të premten.
“Tani ajo që duam është që tregu të rregullohet dhe rregullat financiare të Ligës Spanjolle, të cilat janë shumë strikte, të zgjerohen në të gjithë Evropën”, shtoi ai.
Avokati 32-vjeçar shpjegoi se do t’i kërkojnë ministres franceze të sportit, Amelie Oudea-Castera, të revokojë vlefshmërinë e të gjitha kontratave të lojtarëve të PSG-së të nënshkruara pas datës 25 qershor 2021, datë e inspektimit të fundit të kryer nga autoritetet franceze.
Kjo do të përfshijë kontratën e re të Mbappes, e vlerësuar në 500 milionë euro për tre vjet sipas shifrave të avokatit, dhe atë të Lionel Messit, i cili nënshkroi për PSG në gusht 2021.
Marrëveshja e Messit është gjithashtu objekt i procedurave ligjore të udhëhequra nga Branco pas kërkesës së një grupi anëtarësh të Barcelonës.