Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ka uruar gazetarët sportivë në Ditën Botërore të Gazetarisë Sportive.
I pari i futbollit tonë përmes llogarisë së tij në Facebook, ka thënë se si president i FFK-së në vazhdimësi është përpjekur të jetë i hapur, i afërt dhe mbështetës i gazetarëve sportivë, ndonëse sipas tij, në raste të caktuar disa ndoshta pa fajin e tyre, nuk iu kanë përmbajtur misionit i cili u takon – pasqyrimit të vërtetës.
“Sot gazetarët sportivë kudo në botë shënojnë Ditën Botërore të Gazetarisë Sportive. Në këtë ditë të veçantë, dua të uroj të gjithë gazetarët sportivë në vendin tonë, drejtuesit dhe anëtarët e SHGSK-së, e po ashtu edhe doajenët e gazetarisë sportive tashmë në pension, të cilët ndër dekada kontribuuan në zhvillimin dhe pasqyrimin e sportit të Kosovës dhe jo vetëm. Si president i FFK-së në vazhdimësi jam përpjekur të jem i hapur, i afërt dhe mbështetës i gazetarëve sportivë, ndonëse në raste të caktuar disa ndoshta pa fajin e tyre, nuk iu kanë përmbajtur misionit i cili u takon – pasqyrimit të vërtetës. Sidoqoftë, unë dhe FFK-ja si institucion, do të vazhdojmë të ruajmë dhe të zhvillojmë raportet e bashkëpunimit me mediat në përgjithësi dhe do të përkujdesemi që gazetarëve sportivë t’u krijojmë kushte sa më të mira në stadiume dhe në ngjarje sportive. Inkurajoj gazetarët sportivë që të vazhdojnë pasqyrimin real të të arriturave në sport, por edhe shpërfaqjen e problemeve apo ngecjeve, ngase vetëm në këtë mënyrë i shërbejnë informimit të drejtë të opinionit, por edhe ndihmojnë në përmirësimin e mëtejmë të sportit. Sporti ka qenë segment i rëndësishëm i rezistencës dhe shtetndërtimit, derisa pas shpalljes së pavarësisë është treguar si ambasadori më i mirë i vendit, duke i pasqyruar vlerat e shoqërisë sonë. E në këtë aspekt rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe gazetarët sportivë”, ka shkruar presidenti Ademi.