Ky është lojtari më i shtrenjtë në Kombëtaren e Shqipërisë

 

Ky është lojtari më i shtrenjtë në Kombëtaren e Shqipërisë
Thomas Strakosha është lojtari më i shtrenjtë në Kombëtaren shqiptare. Prej disa kohësh gardiani i portës së Lazios ka fituar vendin e parë duke zbritur në të dytin Elseid Hysajn, por ditët e fundit është zyrtarizuar nga faqja e specializuar për këtë temë (“transfermarkt”).

Portieri i Kombëtares shqiptare vlen 25 milionë euro. Në total, ekipi kuqezi e ka rritur vlerën e tij në treg, duke shkuar afro 85 milionë euro. Bëhet fjalë vetëm për futbollistët që kanë qenë të grumbulluar në listën e fundit nga trajneri Edi Reja për ndeshjet eliminatore.

RRITJE – Por, nuk është vetëm Thomas Strakosha, i cili ka pësuar rritje në vlerën e tij në merkato falë performancave të shkëlqyera me Lazion dhe Kombëtaren. Dy mbrojtësit e tjerë, vlera e të cilëve është rritur maksimalisht, janë Berat Gjimshiti dhe Marash Kumbulla. Të dy vlejnë nga 10 milionë euro. Mbrojtësi i Atalantës ka pasur ndeshje mjaft të mira në Serinë A, por edhe në Ligën e Kampioneve, ku zikaltrit u kualifikuan për herë të parë në histori dhe siguruan kualifikimin në fazën e 1/8-ave.

Marash Kumbulla gjithashtu është një zbulim i bukur i Serisë A, pasi në një sezon në elitën e futbollit italian ka arritur që të kapë vlerën 10 milionë euro. Për të janë të interesuara skuadra shumë të mëdha, si Napoli, Interi dhe Juventusi. Rritje të lehta në vlerën e tyre kanë edhe lojtarët si Dermaku, Ismajli e Gjasula.

RËNIE – Elseid Hysaj është ai që ka ndryshuar më së shumti për keq në renditjen e vlerave të lojtarëve të Kombëtares. Mbrojtësi i Napolit kap vlerën 16 milionë euro dhe kjo gjë ka ardhur për shkak se ai ka humbur rolin e protagonizmit në ekipin italian. Dy vite më parë kushtonte 25 milionë euro, kur shkëlqente me Mauricio Sarrin, ndërsa tani kartoni i tij ka arritur pikën më të ulët në vitet e fundit.

Por Hysaj nuk është i vetmi, pasi edhe disa të tjerë kanë njohur rënie, si Ramadani, Veseli, Manaj, Kamberi dhe Odise Roshi. Shumë prej tyre kanë mbajtur të njëjtat vlera. Në tërësi duhet thënë se Kombëtarja shqiptare ka njohur një rritje në tërësi dhe kjo reflektohet në vlerën totale që ka arritur ekipi i drejtuar nga Edi Reja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *