Kosova pa dyshim është vend i vakive. S’ka vend në rajon por edhe më gjerë ku flitet më shumë për futbollin e ku bëhet presion mbi federatën e këtij sporti.
Ama këtu gjithçka flitet e shkruhet dallash. Thuajse çdo vit “gatuhet” nga një kandidat për president, edhe pse shtëpia e futbollit ka zgjedhje vetëm çdo katër vjet.
Në kohën kur në krye të federatës ishte legjenda Fadil Vokrri, zakonisht ishte Prishtina që bënte zhurmë dhe disa media të afërta me të, por herë pas here edhe klubet tjera që nuk arrinin t’i përmbushnin objektivat e tyre në fushë nuk hezitonin ta fajësonin federatën dhe t’i bënin presion e shantazh.
Atë kohë ëndrrën për të qenë president shpesh e shihte Remzi Ejupi, por përkundër përpjekjeve të vazhdueshme për t’u faktorizuar edhe me ndihmën e disa mediave nuk kishte asnjëherë sukses, pasi nuk kishte përkrahje të njerëzve të futbollit.
Edhe tani, kur në krye të federatës është Agim Ademi prapë në prapaskenë ka grupe të interesit që synojnë që nëpërmjet presionit e shantazheve të gjejnë rrugë e mundësi për të depërtuar në federatë.
Edhe gjatë mandatit të tij kishte dhe ka ende persona që ëndrrojnë për t’u bërë president, teksa të pakënaqurit, të vetëpërjashtuarit, grupet e interesit dhe portalet kujdestare për të kritikuar pa fakte nuk hezitojnë që të thonë gjithçka që ju vjen në gojë kundër federatës!!!
Është e pakuptimtë që thuhet se ka shumë probleme dhe kërkohet Kuvend i jashtëzakonshëm, kur në këtë grup të interesit janë të përfshirë numër i vogël i njerëzve dhe pa përkrahje nga ata që janë të thirrur për futbollin.
Normalisht, krejt kjo gatuhet nga kuzhina e njëjtë. Njëherë në këtë aventurë e përfshin djalin e legjendës, më pas ish-zv.sekretarin e federatës dhe tani “viktimë” qenka bërë një person që për një kohë të shkurtër investoi në klubin e Llapit dhe u dorëzua.
Pra, kjo “kuzhinë” po mundohet ta zijë “qorbën e qobanëve” pa kripë, e që me ndihmën e disa “vegetave” të gazetarisë, të cilët mundohen të hedhin mëlmesa edhe në pite e lërë më në gjella, po mendojnë t’i japin shije kësaj gjelle.
Por, këta njerëz duhet të vetëdijesohen e ta kenë të qartë se duhet të presin përfundimin e mandatit të kreut të FFK-së, e tek pastaj ta shfaqin ambicien e tyre dhe nëse marrin mbështetje nga 15 delegatë të Kuvendit ta shpallin kandidaturën për president, e jo me kësisoj vetëdeklarime pa sens.