Kanë mbetur saktësisht edhe 19 ditë deri në mbajtjen e Kuvendit zgjedhor për Kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Lufta si kurrë më parë, këtë herë duket të jetë tejet e nxehtë, derisa në garë tash për tash janë dy kandidatë, Agim Ademi dhe Gramoz Vokrri. Gjithsesi, zyrtarizimi i kandidaturave të tyre do të bëhet tek pas verifikimit të nënshkrimeve nga Komisioni i FFK-së.
Megjithatë, ajo që kohëve të fundit është temë diskutimi është nëse Kuvendi i 6 prillit është kuvend i rregullt apo i jashtëligjshëm?
Opozita dhe ish-sekretari i FFK-së, Eroll Salihu vazhdojnë të këmbëngulin se ky Kuvend është i parregullt, madje sipas Salihut, qoftë Agim Ademi qoftë Gramoz Vokrri, nëse zgjidhet kryetar nga ky kuvend do të jenë jo të ligjshëm.
Kështu mendon edhe presidenti i FC Prishtinës Remzi Ejupi, i cili për Demokracia.com ka thënë se ka hequr dorë nga kandidatura për President të FFK-së pasi e cilëson kuvendin e 6 prillit si të jashtëligjshëm.
Mirëpo, kush është personi kompetent që mund të vlerësojë nëse është kuvendi i rregullt apo jo.
Sipas analistit Alban Lumi njeriu kryesor është sekretari aktual i FFK-së, Tauland Hodaj. Ai është i thirrur për tí komentuar normat statutar të FFK-së.
“Personi kompetent i thirrur për ta interpretuar statutin e FFK-së është sekretari aktual Taulant Hodaj. Në momentin që kyçen ish-sekretari apo ish-zëvendës sekretari atëherë janë interesa tjera të cilët mund të kenë qëllim të rikthehen në federatë për t’i marrë pozitat e tyre që kishin. Mirëpo, ne gjithmonë duhet të marrim për bazë personin kompetent e që në këtë moment është Hodaj i cili mban pozitën e ushtruesit të detyrës së sekretarit të FFK-së. Ai është person ekzekutiv i cili është i obliguar dhe jep përgjegjësi për statutin dhe rregulloren e Federatës”, ka thënë Alban Lumi për Demokracia.com.
Të kujtojmë se Hodaj insiston se Kuvendi është thirrur në bazë të rregulloreve dhe statutit të FFK-së dhe se ky kuvend është i rregullt dhe nuk ka asnjë shkelje statutare.
“Kuvendi i rregullt është thirrur në bazë të statutit. S’ka shkelje të statutit. Gjithsecili ka të drejtë të kandidojë 20 ditë para Kuvendit”, ka deklaruar Hodaj ditë më parë.