Edhe pse Liga franceze ka vendosur që klubet e saj të mos i lirojnë futbollistët e tyre për t’iu bashkuar kombëtareve të shteteve jo evropiane, klubet e Arbër Zenelit, Valon Berishës dhe Bersant Celinës kanë vendosur t’i lirojnë të tre këta yje që t’i bashkohen Kosovës për ndeshjet e marsit.
Më 24 mars në Prishtinë Kosova zhvillon miqësore me Lituaninë dhe vetëm katër ditë më vonë në “Fadil Vokrri” luan me Suedinë në kuadër të kualifikimeve të Botërorit. Dhe me 31 mars udhëton drejt Spanjës për ndeshjen e dytë kualifikuese për Botëror.
Zeneli, Berisha e Celina shumë shpejt pritet t’i bashkohen ekipit të “Dardanëve” në Prishtinë pasi u është dhënë leja nga klubet e tyre francezë, Reims dhe Dijon. Mirëpo, klubet franceze ia kanë vendosur një kusht Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), e cila obligohet të sigurojë aeroplan privat për t’i kthyer të tre këta futbollistë në Francë. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express drejtori i Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti.
“Pas bisedimeve klubet franceze vendosën të na lirojnë të tre lojtarët tanë. Kjo informatë është e vërtetë. Jemi të obliguar t’i respektojmë masat dhe protokollet anti-Covid që të ruhet shëndeti i këtyre lojtarëve. Ata bashkë me ekipin udhëtojnë drejt Spanjës pas ndeshjes që e zhvillojmë me Suedinë në Prishtinë. Ndërsa, FFK është e obliguar që ta sigurojë në aeroplan privat për t’i kthyer të tre lojtarët nga Spanja drejt në Francë në mënyrë që të mos ketë nevojë për karantinimin e tyre kur të kthehen në Francë”, deklaroi për Express Muharrem Sahiti.
Nuk dihet saktësisht se sa do t’i kushtojë financiarisht FFK-së pagesa e aeroplanit për kthimin e Zenelit, Berishës e Celinës nga Spanja në Francë, por besohet se ky udhëtim do të kushtojë rreth 15 mijë euro.