Real Madridi ka mbyllur tashmë tri transferime gjatë kësaj vere, dhe nuk përjashtohet mundësia që të paktën dy të tjera të vijnë në ‘Santiago Bernabeu’ para përfundimit të afatit kalimtar.
Alvaro Carreras pritet të jetë përforcimi i katërt, ndërsa i pesti mund të jetë një mesfushor i ri.
Në javët e fundit, Real Madridi është lidhur me disa emra të njohur si Martin Zubimendi dhe Angelo Stiller, por me sa duket këto opsione janë lënë mënjanë.
Tani, drejtuesit po shikojnë nga një profil më pak i njohur, por po aq emocionues.
Sipas Diario AS, klubi spanjoll është i interesuar për transferimin e Kees Smit, dhe është gati ta intensifikojë interesimin në javët në vijim.
Smit, që luan për Alkmaar në Holandë, është ende i panjohur për publikun e gjerë jashtë vendit të tij.
Ai zhvilloi 30 paraqitje sezonin e kaluar me ekipin e parë, por shpërthimi i tij i vërtetë erdhi në Kampionatin Europian U19 këtë verë.
Mesfushori organizator fitoi çmimin ‘MVP’ të turneut pasi shënoi katër gola dhe dha një asistim, duke ndihmuar Holandën të triumfojë në finale ndaj Spanjës.
Alkmaar pritet të marrë disa oferta për Smit gjatë verës, dhe nëse Real Madridi bëhet një prej tyre, ka një përparësi të madhe, pasi futbollisti është vetë tifoz i ‘Los Blancos’.
Ky është një lajm i keq për Barcelonën, e cila po ashtu e ka ndjekur 19-vjeçarin si një përforcim të mundshëm për këtë afat kalimtar./