Agim Ademi sot e mori edhe një herë “dritën e gjelbër” nga delegatët e futbollit kosovar me të cilën siguroi ulësen e Presidentit të Federatës të Futbollit të Kosovës.
Zgjedhja e Kryetarit të FFK-së ishte paraparë në pikën e gjashtë të këtij Kuvendi Zgjedhor.
Të pranishëm në këtë kuvend ishin 43 delegatë të cilët votuan me ngritje dore. Pas votimit, Ademi mori 42 vota dhe një votë ishte abstenim, pra kështu ai mori mandatin deri në vitin 2026.
Këtë kuvend e kanë bojkotuar 15 delegatë të cilët sipas tyre ka qenë kuvend i paligjshëm. Kuvendi kishte vazhduar në mënyrë të rregullt pasi që kishte kuorum, shkruan Enigma.
Delegatë si Abedin Zeka i Trepcës ’89, Feti Muresli i Dritës, Malazog Hoxha i Lidhjes Rajonale të Gjilanit, Rrahman Haradini nga Prishtina, ishin disa nga emrat të cilët nuk pranuan të merrnin pjesë në këtë Kuvend Zgjedhor.
Por kush është Agim Ademi?
Presidenti i zgjedhur, Agim Ademi, ka lindur me 19 tetor të vitit 1961. Ademi është i martuar dhe jeton në Prishtinë. Ka magjistruar në shkencat e sigurisë dhe emergjencave, derisa nihet si biznismen i suksesshëm në fushën e ndërtimtarisë, hotelerisë dhe prodhimit. Nga viti 1975 deri në vitin 1988 ishte futbollist aktiv. Nga viti 1992 Agim Ademi kontributin e tij e dha edhe në zhvillimin e futbollit kosovar, si kryetar dhe donator i KF Kosova Prishtinës, klub i cili në një periudhë pati paraqitje të suksesshme në elitën e futbollit kosovar.
Para 26 viteve kur ishte edhe situatë krejt ndryshe në Republikën e Kosovës, shume veprimtarë sportivë luftonin më mish e më shpirt për t’i organizuar garat në të gjitha disiplinat sportive dhe ishin të shantazhuar dhe kërcënuar nga regjimi kriminal serb. Në vitin 1996, Agim Ademi, kishte organizuar turneun tradicional për nder të dëshmorit Ismet Krasniqi, i cili ishte vrarë nga forcat kriminale serbe. Përkrah tij ishin Rexhep Abdullahu, atëkohë kryetar i FFK-së, i cili ka ndërruar jetë në tetor të vitit 2007 dhe Ramë Buja, atëkohë përgjegjës për sport nga Qeveria e atëhershme.
Ademi ka qenë gjithmonë krahu i djathtë i ish-presidentit të futbollit, Fadil Vokrri.
Agim Ademi nga viti 2000 e deri më 6 korrik të vitit 2018 kontributin e tij e dha si zëvendëspresident i Federatës të Futbollit të Kosovës, kurse nga kjo ditë ai e mori postin e presidentit të FFK-së, duke u votuar unanimisht nga 58 delegatët e Kuvendit të FFK-së në mbledhjen e jashtëzakonshme zgjedhore, pasi pozita e presidentit kishte mbetur vakante pas vdekjes së papritur të legjendës së futbollit tonë, Fadil Vokrri.
Pasi që u zyrtarizua si i pari në futbollin kosovar, Ademi ka reaguar përmes një postimi duke i falënderuar të gjithë komunitetin e futbollit, delegatëve, Komitetit Ekzekutiv dhe të gjithë akterëve tjerë.