“Kurdisje e pastër” – Tifozët e gozhdojnë Dritën me akuza për humbje të kurdisur kundër Prishtinës

Drita është duke u akuzuar nga tifozët e vet se e kurdisi humbjen 2:1 kundër Prishtinës, në një ndeshje vendimtare për titull në Superligë të dielën.

Para derbit me Prishtinën, Drita ishte lidere e ligës elitare kosovare me një epërsi prej katër pikëve ndaj bardhekaltërve dhe tri pikëve ndaj Ballkanit, raporton GE.

Nga disfata e kampiones në fuqi, po aq sa Prishtina, përfitoi edhe Ballkani, i cili e mundi Gjilanin 1:0 në ndeshjen e luajtur sot dhe e mori kryesimin e ligës falë goldallimit më të mirë se Drita.

Betim Haxhimusa e kishte kaluar Dritën në epërsi në minutën e 21-të, para se Endrit Krasniqi ta barazonte rezultatin nga gjuajtja e lirë në minutën e 35-të.

Lojtarët e Dritës u kritikuan edhe nga analistët për uljen e nivelit të lojës dukshëm në pjesën e dytë, kur edhe Besnik Krasniqi shënoi për ta përmbysur rezultatin në minutën e 72-të.

Dyshimet e para për kurdisje u ngritën një ditë para ndeshjes, kur çuditërisht shtëpitë e basteve e favorizuan dukshëm Prishtinën për ta fituar këtë ndeshje.

Është tejet e pazakontë që një skuadër mysafire të favorizohet aq shumë ndaj një lideri dhe kampioni në fuqi.

Prishtina e kishte kuotën 1.50 për të fituar, që është tejet e ulet për një ndeshje derbi, ndërsa Drita e kishte kuotën marramendëse për të fituar, 5.50, megjithëse vendas dhe lider.

Në një shkrim për njoftimin e rezultat të ndeshjes në Facebook, Drita u gozhduan nga tifozët e vet, të cilët e akuzuan për klubin e tyre për kurdisje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *