Kosova me 3 shtator në Parma të Italisë do të përballet me Moldavinë ndërsa tri ditë më vonë në Prishtinë ballafaqohet me Greqinë, dyja sfida këto në kuadër të Ligës C të Kombeve.
Koronavirusi ka vazhduar të sjelë telashe të mëdha, derisa këtë herë do t’i penalizojë shumë tifozët “Dardanët” që nuk do të mund të jenë të stadium për ta mbështetur Kosovën, pasi ndeshjet luhen pa praninë e publikut.
Kryetari i “dardanëve”, Lulëzim Berisha (Luli) ka thënë se mbështetja për luanët tanë nuk do të ndalët kurrë, por këtë herë këtë do ta bëjmë nga çdo shtëpi shqiptare.
“Në javën e parë të shtatorit luanët tanë fillojnë rrugëtimin e ri në garën UEFA Liga e Kombeve. Kosova me 3 shtator përballet me Moldavinë në Parma të Italisë, ndërsa vetëm 3 ditë më vonë presim Greqinë në Prishtinë. Shkaku i pandemisë tanimë gjithë e dimë se fatkeqësisht ndeshjet do të luhen pa tifozë në tribuna”, ka shkruar ai.
“Duke besuar në fitore, ne Dardanët nga të gjitha vendet e botës si gjithmonë do t’i përkrahim djelmoshat tanë, por këtë herë nga secila shtëpi, dritare e ballkon, me flamuj, me rekuizita të ndryshme, me brohoritje, secili sipas mënyrës së vet do të bëjmë me dije që luanët tanë nuk janë vetëm. Poashtu, u bëjmë thirrje gjithë tifozëve, sidomos në Kosovë, e posaçërisht në Prishtinë që nga dritaret dhe ballkonat tanë të bëjmë duartrokitjen tradicionale në minutën 9 në nder të legjendës sonë Fadil Vokrri. Për Kosovën. Përgjithmonë”, ka shkruar tutjr Berisha në Facebook.