Presidenti Agim Ademi në shoqëri të nënkryetarit, Bakir Burri, sekretarit të përgjithshëm, Eroll Salihu dhe drejtuesve të tifo-grupit “Dardanët”, Lulzim Berisha e Arben Zhjeçi, janë pritur sot nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Në këtë takim është diskutuar për situatën aktuale rreth pandemisë, për gjendjen në futbollin e Kosovës si dhe për dy ndeshjet e radhës që Kombëtarja e Kosovës do t’i luajë në Ligën e Kombeve kundër Moldavisë në Parma dhe kundër Greqisë në Prishtinë, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Presidenti Ademi e njoftoi kryeministrin për punën që po bëhet nga FFK rreth përgatitjeve për këto dy ndeshje, por edhe për fillimin e kampionatit të ri që është planifikuar të nisë më 12 shtator.
Së këndejmi, presidenti Ademi kërkoi nga kryeministri Hoti që në konsultim me institucionet shëndetësore të krijojë mundësi për lejimin e stërvitjeve dhe aktiviteteve për klubet dhe shkollat e futbollit.
Gjithashtu, në këtë takim u bisedua edhe për infrastrukturë dhe për nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet FFK-së dhe Qeverisë në krijimin e kushteve sa më të mira për të rinjtë me qëllim të avancimit të futbollit tonë.