Kombëtarja e Kosovës në futboll, sonte përballet me Qipron, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Dardanët dhe qipriotët do të ballafaqohen në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në një sfidë të rëndësishme për Kombëtaren tonë është në garë për kreun e tabelës.
Kosova në duel me Qipron, hynë pas fitores në udhëtim tek Lituania (1-2), ndeshje kjo e zhvilluar tri ditë më parë.
Kosova e kishte mposhtur bindshëm prej 4-0, Qipron në ndeshjen e parë, andaj edhe në duelin e sotëm në kryeqytetin e Kosovës, skuadra jonë është favorite për fitore.
Trajneri i Kosovës, Franco Foda, në konferencën e fundit para duelit me qipriotët, tha se Qipro është një ekip dinamik, por sipas tij, Kosova është përgatitur për fitore në këtë duel.
Strategu gjerman ka kërkuar nga skuadra e tij, të mbajë të njëjtën energji dhe mendësi si në ndeshjen kundër Lituanisë.
“E dimë që Qipro e ka ndërruar trajnerin, por ne duhet të luajmë sikur në Lituani, me energji dhe me mendësi të njëjtë. Qipro luan lojë mjaft dinamike, por ne jemi të përgatitur dhe presim të fitojmë. Duhet të fitojmë kundër Qipros, por gjithashtu ka rëndësi për ne edhe rezultati i ndeshjes Lituani – Rumani. Gjithsesi, ne synojmë fitore edhe në Rumani në nëntor”, ka thënë Foda.
Sfida mes Kosovës dhe Qipros nis në orën 20:45 dhe transmetohet direkt në RTK.