Kombëtarja e Kosovës U19 e ka zhvilluar ndeshjen e parë miqësore kundër Shqipërisë U19 në stadiumin “Kukës Arena”. Kjo njëherësh ishte ndeshja e parë e Dardanëve U19 nën drejtimin e përzgjedhësit të ri, Adil Maliqi. Të dyja ekipet shfaqën lojë shumë të mirë e me shumë raste, por që në fund fitores iu gëzuan kuqezinjtë, me rezultat 1:0, me golin e shënuar në minutën e 93-të.
Pjesa e parë ishte e baraspeshuar, ku të dyja ekipet patën disa mundësi shënimi, por që nuk u treguan efikase në finalizim të aksioneve. Në pjesën e dytë trajnerët e të dyja ekipeve u dhanë rastin për lojë të gjithë futbollistëve që kishin në dispozicion, por ritmi i lojës sërish ishte i mirë. Dardanët në këtë periudhë loje patën disa tentime për të gjetur rrugën e golit, por nuk kishin fat. Kur po mendohej se kjo miqësore do të mbyllej baras, Shqipëria arriti të gjejë golin e fitores në minutën e 93-të, kur Adi Kurti përfitoi nga grushtimi i topit nga portieri dhe me gjuajtje të saktë tund rrjetën e portës së Dardanëve. Miqësorja e dytë Shqipëri-Kosovë, zhvillohet më 16 qershor, në stadiumin “Kukës Arena” në orën 10:30.
Trajneri Adil Maliqi e nisi ndeshjen me këtë formacion: Art Miftari, Merlind Kodra, Davud Syla, Leon Zeqiraj, Arjanit Fazlija, Dior Gërbovci, Diamant Lokaj, Elton Krasniqi, Igball Jashari, Larson Ferati dhe Dren Dobruna, derisa u inkuadruan edhe: Leart Prapashtica, Elmedin Rama, Zigur Biqkaj, Arjol Bllaca, Eurolind Avdimetaj, Luan Dobra, Luis Karaqi, Edonis Hajdini, Pren Gjini, Indrit Mavraj dhe Sead Ahmeti.