Kosova shfaq fytyrën e vërtetë, mposht Suedinë dhe merr pikët e para në kualifikime

Kombëtarja e Kosovës ka triumfuar me rezultat 2-0 në shtëpi ndaj Suedisë në kuadër të ndeshjes së dytë të vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës 2026.

Që nga minuta e parë Kosova dëshmoi karakter të fortë duke treguar një rezistencë të madhe në fazën defanzive si dhe duke rrezikuar në çdo dalje të mundshme në fazën e sulmit.

Golin e epërsisë Kosova e gjeti në minutën e 13-të me anë të Elvis Rexhbecaj i cili realizoi për rezultatin 1-0 në një situatë një për një me portierin Robin Olsen.

Të besuarit e Franco Fodës nuk u zmbrapsën pas golit të epërsisë dhe vazhduan me sulmet në drejtim të portës suedeze.

Po luhej minuta e 40-të e takimit kur pas një kundërsulmi vrasës, Kosova e gjeti edhe golin e dytë.

Ishte Vedat Muriqi i cili realizoi një super gol për 2-0 pas një kombinimi fantastik me Albion Rrahmanin i cili ishte në rolin e asistuesit.

Në pjesën e dytë Kosova shfaqi një disiplinë të shkëlqyer taktike duke arritur ta menaxhojë me sukses epërsinë e krijuar në pjesën e parë.

Florent Muslija pas një depërtimi të bukur ku dribloi disa kundërshtarë iu afrua golit, por fatkeqësisht topi përfundoi pranë shtyllës së Olsen.

Në anën tjetër suedezët të vetmin rast më serioz e patën në minutën e 84-të me Alexander Isak, por ky i fundit u ndal nga Arijanet Muric.

Kosova e mbylli ndeshjen me një lojtar më pak në fushë, pas përjashtimit të Lindon Emërllahut me karton të kuq.

Kështu rezultati mbeti po ai i njëjti i pjesës së parë dhe Kosova mori fitoren e parë në këtë cikë kualifikues, duke lënë mbrapa humbjen zhgënjyese nga Zvicra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *