Short i veçantë do të tërhiqet për përfaqësuesen e Kosovës në hendboll në fazën e fundit kualifikuese për “Euro 2022”.
Federata Evropiane e Hendbollit të martën ka njoftuar se shorti për fazën kryesore kualifikuese për “Euro 2022” do të tërhiqet më 16 qershor nga ora 17:00.
Përfaqësueset janë ndarë në katër vazo për short, kurse do të formohen tetë grupe. Kosova është në vazon e katërt. Por është paraparë përjashtim për Kosovën në short, raporton KOHA.
Përmes shortit fillimisht do të shpërndahen në tetë grupe përfaqësueset e vazos së tretë. Më pas do të shpërndahen përfaqësueset e vazos së dytë, e më pas edhe ato të vazos së parë.
Hapi i katërt i shortit, sipas njoftimit të EHF-së, është caktimi i grupit të Kosovës. Kosova do të vendoset në njërin grup, por jo në atë ku është Serbia, që është në vazon e dytë. Në hapin pesë të shortit, do të bëhet shpërndarja nëpër grupe e shtatë përfaqësueseve tjera të vazos së katërt.
EHF-ja, si UEFA e disa federata tjera, nuk lejon përballjet mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas njoftimit të FHK-së, Kosova në këto kualifikime do të synojë vendin historik në Evropianin që mbahet në Hungari e Sllovaki. Kualifikimi arrihet përmes dy vendeve të para në grup, por ka gjasë edhe përmes vendit të tretë në grup. Në kualifikimet e kaluara Kosova arriti fitore me Izraelin, kurse barazoi me Poloninë. Në fillim të këtij viti, në kualifikime për Botëror, Kosova barazoi me Italinë dhe fitoi ndaj Gjeorgjisë, por humbi thellë nga Rumania.
“Shorti është i rëndësishëm sa i takon synimit tonë. Por ekipi ynë përfaqësues është në ngritje të vazhdueshme dhe synim gjithsesi është kualifikimi. Ky do të ishte sukses i jashtëzakonshëm, por mbetet synim. Shpresojmë të kemi fat në short”, ka thënë Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i FHK-së.
Kosova ndeshjen e parë do ta luaj më 4 nëntor.