Kosova i nis sot përgatitjet për ndeshjet e fundit këtë vit me trajner të përkohshëm

Ekipi kombëtar i Kosovës do të mblidhet sot në Prishtinë për t’i nisur përgatitjet për ndeshjet e fundit në vitin 2021, nën udhëheqjen e trajnerit të përkohshëm Primoz Gliha, pas shkarkimit të Bernard Challandes.

Federata e Futbollit e Kosovës është ende në kërkim të një trajneri të ri të përhershëm, pasi e shkarkoi Bernard Challandesin një ditë pas humbjes 2:1 kundër Gjeorgjisë në ndeshjen e parafundit kualifikuese për Kupën e Botës 2022 në fillim të tetorit.

Çuditërisht, FFK-ja nuk njoftoi zyrtarisht se kush do ta merrte në dorë përkohësisht ekipin kombëtar pas shkarkimit të Challandes.

Trajneri slloven Gliha bëri vetë të ditur për mediat sllovene lajmin se i ishte besuar ekipi kombëtar i Kosovës deri në emërimin e një trajneri të përhershëm.

Gliha – një ish-trajner i suksesshëm për një kohë të gjatë në krye të ekipit kombëtar U21 të Sllovenisë – do ta drejtojë Kosovën, ekipin e parë A në karrierën e tij, në stërvitje për herë të parë të hënën pasdite në kryeqytet.

Ai do ta drejtojë Kosovën së pari në një ndeshje miqësore kundër Jordanisë të mërkurën në Prishtinë.

Kosova do të përballet me Greqinë më 14 nëntor në Athinë, në ndeshjen e fundit të një fushate kualifikuese tejet zhgënjyese për Botërorin e Katarit.

Kosova i humbi pesë prej shtatë ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës 2022, duke e arritur vetëm një fitore dhe një barazim në dy ndeshjet e tjera nën udhëheqjen e Challandes.

Jo vetëm që i humbi shanset për kualifikim qysh herët, por Kosova tani rrezikon ta mbyllë grupin në vendin e fundit, ku edhe gjendet, kur ka mbetur vetëm edhe një ndeshje deri në mbylljen e fushatës kualifikuese për Katar.

Kosova është e fundit në Grupin B me vetëm katër pikë, aq sa ka edhe Gjeorgjia në vendin e parafundit, por kjo e fundit ka goldallim më të mirë.

Gjeorgjia përballet me Suedinë, lideren e grupit, në ndeshjen e fundit kualifikuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *