Shqipëria e mbylli me një barazim e dy humbje aventurën në Euro2024, por rezultatet në Gjermani nuk kanë ndikuar në renditjen e përgjithshme të FIFA-s. Pas përditësimit të bërë së fundmi, Shqipëria renditet po në vendin e 66-të, në të njëjtën pozitë ku ndodhej dhe para Kampionatit Evropian.
Në anën tjetër Kosova ka humbur një pozicion, duke u renditur tani në vendin e 106. Duhet përmendur se “Dardanët” nuk kanë qenë në aktivitet gjatë kësaj vere.
Sa i takon 10 vendeve të para ka pasur disa ndryshime. Në vendin e parë mbetet Argjentina, e cila fitoi Copa America. Pas saj ndodhet Franca, e cila në Euro2024 arriti që të shkonte deri në gjysmëfinale, aty ku eliminua pikërisht nga skuadra që renditet tani në vendin e tretë të FIFA-s, Spanja. Kombëtarja La Roja, triumfoi në Euro2024, duke dominuar përballë çdo kundërshtari, pasi arriti të marrë 7 fitore si askush më parë në historinë e europianëve.
Spanjollët kanë rikuperuar 5 pozicione në renditjen e përgjithshme. Menjëherë pas tyre ndodhet Anglia, të cila për të dytin edicion radhazi u mund në finalen e Europianit. “Tre Luanët” kanë fituar një pozicion. Vetëm vendi i pestë për Brazilin, që zhgënjeu në Copa America, ndërkohë që Belgjika ka humbur 3 pozicione dhe ndodhet në vendin e gjashtë.
Në katër vendet e fundit të “Top10” janë Holanda që nuk ka ndryshuar pozicion e mbetet e shtata, Portugalia e teta me dy pozicione më poshtë se një muaj më parë, Kolumbia e nënta, e cila ka rikuperuar 3 pozicione, dhe Italia që mbetet e 10-ta, duke mos lëvizur nga pozita e saj.