Akil Gjakova është bërë për herë të parë kampion i Evropës në xhudo për senior, në Kampionatin Evropian që po mbahet në Lisbonë të Portugalisë.
Xhudisti ynë fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 73 kilogramë, duke u bërë medalisti i parë evropian për Kosovën në një garë të meshkujve për senior.
Akili dominoi tatamin, duke shënuar pesë fitore. Raundin e parë e kaloi pa luftë, në të dytën mundi Ido Levin të Izraelit, në raundin e tretë eliminoi gjermanin Anthony Zingg, ndërsa në çerekfinale mposhti Musa Mogushkov të Rusisë.
Në gjysmëfinale e mposhti zviceranin, Nils Stamp, ndërsa në finale mundi në shënim të artë izraelitin, Tohar Butbul.
Krahas medaljes së artë, Akili fitoi edhe 700 pikë olimpike Tokio 2020.
Sot garoi edhe Laura Fazliu, e cila zuri vendin e pestë në kategorinë deri në 63 kilogramë. Laura shënoi tri fitore, ndërsa pësoi humbje në çerekfinale dhe në luftën për të bronztën.
Fazliu fitoi 252 pikë olimpike Tokio 2020.
Medalja e sotme e Akilit e çoi në tri numrin e medaljeve të fituara për Kosovën në Evropianin e Lisbonës.
Të premten, të artën e fitoi edhe Distria Krasniqi, kurse Nora Gjakova u stolis me të bronztën.
Ky sukses bëri që pas ditës së dytë, Kosova t’i prinë renditjes së shteteve me medalje të fituara.
Ky sukses është sinjal i mirë se xhudo është në rrugë të mbarë për t’i sjellë Kosovës edhe medalje tjera olimpike nga Lojërat Olimpike Tokio 2020.
Nesër garon garuesja e fundit e jona në Evropian, Loriana Kuka, kategoria -78 kg. /Telegrafi/