Kontrata mijë euroshe për lojtarët, Superliga e Kosovës ka “prishur pazaret” dhe planet e drejtuesve të klubeve të Shqipërisë

Merkato e verës ka nisur prej datës 1 qershor. Paralelisht me lëvizjet e lojtarëve të ndryshëm kanë qarkulluar edhe thashethemet për futbollistë që mund të përfundonin në kampionatin shqiptar.

Megjithatë ku ka “zë s’është pa gjë”. Gara mes Superiores dhe Superligës së Kosovës duket e fortë. Shumë lojtarë që kanë bërë mirë në kampionatin kosovar janë vënë në “radarët” e klubeve të elitës së vendit shqiptar por deri tani nuk ka pasur asnjë zyrtarizim përjashtuar Lorik Bosnjakun te Vllaznia.

Edhe pse dukshëm infrastruktura e kampionatit shqiptar është shumë më mirë se ajo e Kosovës, futbollistët duket se kanë zgjedhur të luajnë në terrene të vështira, por me rroga më të larta. Qëndrim Zyba ishte një nga lojtarët e përfolur për t’u transferuar te Tirana. Por, një gjë e tillë s’u bë e mundur. Ballkani ishte i gatshëm të ofronte më shumë se bardheblutë dhe kësisoj mesfushori zgjodhi 72 mijë eurot para kushteve që ofron kampionati shqiptar, shkruan newsport.

Situata qëndron e njëjtë edhe me Gledi Micin. Ky i fundit e njeh mjaft mirë garën në elitë, por në fund preferoi milionat para Partizanit. Mbrojtësi i majtë paguhet plot 72 mijë euro me Prishtinën. Siç shihet Superliga e Kosovës ka prishur “pazaret” në kampionatin shqiptar duke bërë që futbollistët, qoftë cilësorë ose jo të lënë elitën për shuma të majme parash. Mund të përmendim edhe Blend Baftiun që zgjodhi Dritën për shifrën e afro 80 mijë eurove në sezon duke refuzuar ofertat nga Shqipëria.

Pagat që ofrojnë klubet e Superiores janë shumë herë më të ulëta se të Kosovës. Kjo është arsyeja kryesore se pse lojtarët e Superligës atje nuk pranojnë të vijnë në kampionatin shqiptar. Në një krahasim të thjeshtë, drejtuesit e klubeve në Shqipëri nuk paguajnë më shumë se 2-3 mijë euro në muaj për një mbrojtës linje. Ndërkohë shembulli konkret si Gledi Mici që lahet në “ar” në Kosovë tregon diferencat e frikshme mes kampionatit shqiptar dhe atij kosovar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *