UEFA ka konfirmuar se çfarë ndodh me ndeshjet e Ligës së Kombeve nëse kombëtare të ndryshme do të kenë futbollistë pozitivë për COVID-19. Është paralajmëruar edhe shorti.
Ndeshjet e ardhshme do të zhvillohen mes 3 dhe 8 shtatorit. Këto janë ndeshjet e para ndërkombëtare në Evropë që nga shpërthimi i koronavirusit dhe UEFA ka thënë se e kupton që për përgatitje shtetet kanë pasur shumë vështirësi.
Të gjitha ndeshjet pritet të zhvillohen në stadiumet e caktuara më herët, pos ndeshjes Moldavia-Kosova, që do të luhet në Itali, pasi Moldavia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.
UEFA ka thënë se kur të ketë raste pozitive të konfirmuara me COVID-19 kjo do të mund të çojë që të karantinojë një grup lojtarësh, zyrtarësh apo të gjithë ekipin.
Nëse karantinohen lojtarët, UEFA ka thënë se ndeshja do të luhet nëse skuadrat kanë nga 13 futbollistë në dispozicion, duke përfshirë së paku një portier.
Nëse ekipet s’do të kenë nga 13 futbollistë, UEFA ka shtuar se do të provojë të caktojë orarin e ri për ndeshjen.
Gjithsesi, nëse kjo s’mund të bëhet, komiteti disiplinor do të vendosë për rezultatin dhe skuadra e konsideruar përgjegjëse për shtyrje të ndeshjes do të llogaritet humbëse me rezultat zyrtar.