Komiteti Ekzekutiv i FFK-së kërkon licencim nga MKRS-ja

Komiteti Ekzekutiv (KE) i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) sot mbajti mbledhjen e radhës, ku u diskutua për çështjen e licencimit.

Sipas njoftimit zyrtar, nga kjo mbledhje u konstatua se qysh nga data 9 shkurt, Federata i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe kriteret e kërkuara nga Komisioni i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), shkruan Gazeta Express.

Tutje thuhet se edhe pjesa dërrmuese e klubeve, mbi 50%, i kanë plotësuar kriteret e kërkuara dhe i kanë dërguar të gjitha dokumentet e tyre më 28 shkurt, teksa klubet tjera po vazhdojnë t’i dërgojnë ato.

KE thuhet se tani po pret nga Komisioni i MKRS-së që të bëjë sa më parë licencimin e FFK-së dhe klubeve. Sipas tyre, nuk ka asnjë arsye që kjo të mos ndodhë.

Njoftimi i plotë:

“KE i FFK-së sot mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e nënkryetarit Bakir Burri. Në këtë mbledhje KE diskutoi për çështjen e licencimit të FFK-së dhe konstatoi se Federata qysh më 09.02.2023 i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe kriteret e kërkuara nga Komisioni i MKRS-së, e po ashtu edhe FIFA zyrtarisht e ka informuar Komisionin e MKRS-në, me kërkesë të tyre të fundit, se statuti i FFK-së është në plotni në përputhje me statutin e FIFA-s dhe nuk ka asnjë çështje të hapur të FFK-së pranë FIFA-s.

Po ashtu, KE u informua se edhe anëtarët e FFK-së/klubet, pjesa dërrmuese e tyre, mbi 50%, i kanë plotësuar kriteret e kërkuara për licencim dhe i kanë dërguar të gjitha dokumentet tyre me datë 28.02.2023, si dhe të tjera klube vazhdojnë t’i dërgojnë dokumentet në vazhdimësi.

Prandaj, KE pret që Komisioni i MKRS-së të bëjë sa më parë licencimin e FFK-së dhe të klubeve sepse kjo zvarritje po reflekton në punën e përditshme të tyre dhe po ua pamundëson realizimin e të hyrave nga Ligji i Sponsorizimit. KE konkludoi se Komisioni i MKRS-së nuk ka asnjë arsye thelbësore që të mos e licencojë FFK-në, andaj edhe pret reflektim urgjent nga Komisioni i licencimit, në mënyrë që klubet të mos dëmtohen nga ky proces.

Gjithashtu në këtë mbledhje u theksua edhe njëherë gatishmëria e FFK-së që t’i ndihmojë të gjitha klubet në kompletimin e dokumentacionit të kërkuar nga Komisioni i MKRS-së dhe/ose t’i adresojë këto çështje pranë UEFA-s dhe organeve gjyqësore nëse është e nevojshme”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *