Kolumbia e treta më e mira në “Copa America”

Kolumbia zë vendin e tretë në Copa America.

“Cafeteros” triumfuan me rezultatin 3-2 në finalen për vendin e tretë ndaj Perusë, falë një goli të Diaz në minutën e katërt shtesë, kur dukej se skuadrat po bëheshin gati për goditjet e penalltive.

Në një ndeshje me ritëm të lartë e raste të shumta në Brasilia, ishin peruanët ata që kaluan të parët në avantazh në minutën e 45-të, me anë të mesfushorit 31-vjeçar Yoshimar Yotun.

Pjesa e dytë nisi me një gol mjaft të bukur të Juan Cuadrados, i cili ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi dhe riktheu baraspeshën, ndërsa më pas ishte Diaz që shënoi golin e avantazhit për Kolumbinë.

Tetë minuta para fundit të lojës, ishte sulmuesi i Beneventos, Gianluca Lapadula që riktheu edhe njëherë baraspeshën për Perunë dhe kur dukej se ndeshja po shkonte drejt barazimit, Diaz shënoi golin e dytë personal e të tretin për Kolumbinë, duke bërë që “Cafeteros” ta mbyllin këtë edicion të Copa America-s në vendin e tretë.

Ndërkohë në orët e para të mëngjesit të së dielës (ora lokale shqiptare), në stadiumin mitik të Rio De Janeiros “Maracana”, do të zhvillohet finalja e madhe e kompeticionit, mes Argjentinës dhe Brazilit, ndërsa autoritetet shëndetësore kanë miratuar praninë e tifozëve në masën 10%, ose 5500 spektatorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *