Kololli: Ndeshja ndaj Maqedonisë e rëndësishme, ja çfarë i thashë Andi Zeqirit për Kosovën

Përfaqësuesja e Kosovës është dy fitore larg kualifikimit në Kampionatin Evropian “Euro 2020”. Ylli i Zurichut dhe Kosovës, Benjamin Kololli ka folur për “Blick.ch” për shansin historik të “Dardanëve” dhe shpresat për ardhjen e yjeve të Zvicrës U21, Andi Zeqiri dhe Bastien Toma.

Anësori i Zvicrës, Benji Kololli mendjen e ka te ndeshja e sontme, Maqedoni e Veriut – Kosovë, e cila luhet në kuadër të gjysmëfinales së Ligës së Kombeve, raporton Zeri.info

“Kjo është njëra ndër ndeshjet më të rëndësishme për ne, për gjithë vendin tonë dhe për trajnerët”.

“Challandes? Ai u bë kampion i Zvicrës, por ne tani synojmë ta shkruajmë historinë. Do të ishte sukses i pabesueshëm kualifikimi në evropian”, tregon tutje mbrojtësi nga Lipjani.

Në rast të fitores së sontme në Shkup, Kosova luan në finale me fituesin e duelit, Gjeorgji – Bjellorusi më 12 nëntor.

“Në kompeticionet e mëdha, kam luajtur vetëm në Ligën e Evropës. Kampionati Evropian do të ishte një dimension i ri. Jam i bindur se mund ta bëjmë këtë edhe pse me disa mungesa”, potencoi Kololli.

Kosovës sonte i mungojnë Amir Rrahmani, shkaku i rasteve me COVID-19 te Napoli, Milot Rashica, Vedat Muriqi dhe Samir Ujkani.

Është përfolur shumë për ardhjen e Andi Zeqirit te Kosova, derisa Koloolli për situatën e tij ka thënë:

“Natyrisht, shpresoj se Andi Zeqiri do të vie te ne. Nëse duam të ëndërrojmë për sukses të madh, të gjithë futbollistët e mirë duhet ta zgjedhin Kosovën. Sa më shumë konkurrencë, aq më mirë për ne”, vlerësoi Kololli.

“I kam thënë atij ta përcjell zemrën e tij kur të vendosë. Jo prindërit, jo kolegët dhe jo tifozët”, shtoi Kololli.

“Gjithashtu shpresoj se edhe Toma do ta zgjedhë Kosovën, ai është një tjetër talent i ri me potencial të madh”, përfundoi Benjamin Kololli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *