Trajneri i Barcelonës Ronald Koeman thumbon Lionel Messin, duke deklaruar se kapiteni i Barçës mund të japë shumë më tepër në fushën e lojës.
Koeman tha se shihet me kapitenin çdo ditë dhe sipas tij ylli argjentinas është i lumtur dhe dëshiron të luajë përherë. Ai deklaroi se nuk ka as dyshimin më të vogël për rendimentin e 33-vjeçarit nga Rosario, por gjithsesi është i bindur që në një kohë të tillë Leo mund të japë akoma më shumë.
Mungesën e golave të shënuar nga ana e Messit, Koeman e lidhi me fatin e keq, ndërkaq trajneri holandez mbrojti rendimentin e shënimit të golave nga ana e skuadrës, duke kujtuar se ekipi që ai drejton ka realizuar 8 gola në katër ndeshje dhe për hir të së vërtetës vetëm kryesuesit e Real Sociedadit kanë shënuar më shumë në Primera Division.