Toni Kroos fitoi titullin e tij të dytë me Real Madridin, pas një kampionati të shkëlqyer individualisht dhe si kolektiv. Pjesë e mesfushës së komanduar prej tij, Casemiro dhe Luka Modric, gjermani ka shkëlqyer në vijimësi dhe ka ndihmuar shumë në suksesin e “Los Blancos”.
Rëndësia e tij ka qenë shumë e ndryshme nga ajo e lojtarëve të tjerë si Gareth Bale, i cili ka qenë më protagonist për atë që bëri jashtë fushës sesa në të. Një lojtar që erdhi për të qenë yll i ekipit, por tani ngroh pankinën. Kroos është një nga kolegët e tij më të vjetër brenda klubit, ndaj mundohet të sqarojë situatën e uellsianit, i cili luajti vetëm 10% të minutave të mundshme pas rifillimit të La Liga-s, e cila u ndërpre për shkak të Covid-19:
“Nuk ka asnjë mënyrë për të shmangur pakënaqësitë e të gjithëve në një skuadër futbolli. Drejtuesit me siguri nuk kanë nënshkruar me të që të luajë aq pak, sa tani. Gareth deshi të largohej verën e kaluar dhe klubi tha “po” në fillim, pastaj ndryshoi mendje. Unë nuk e di nëse është akoma i mërzitur për këtë. Është një çështje e vështirë. Me siguri nuk është aq komod sa duhet. Gjithçka është në rregull në ekip, ndaj situatat individuale dalin në plan të dytë. Unë e njoh prej gjashtë vitesh dhe kemi fituar disa gjëra mjaft të rëndësishme së bashku”.