Në këtë sezon nuk fitoi asnjë trofe, por Real Madrid ka se për çfarë të krenohet. “Los Blancos” janë klubi me vlerën më të lartë në botë. Ky është përfundimi i revistës “Forbes” që ka publikuar renditjen e fundit të saj.
Sipas llogarive, madrilenët lenë pas të gjithë emrat e tjerë të mëdhenj të futbollit europian, pasi vlerësohen 6.07 miliardë dollarë.
Treshja e parë e “Forbes” plotësohet me Manchester United dhe Barcelonën.
“Djajtë e Kuq” vlerësohen 6 miliardë dollarë, e njëjta shifër kjo e përfolur shumë javët e fundit si oferta e sheikëve të Katarit për të blerë klubin e famshëm anglez.
Ndërkohë, pavarësisht problemeve të mëdha financiare, vlera e Barcelonës është 5.51 miliardë dollarë.
Klubet angleze dominojnë këtë renditje, pasi pesëshja e parë plotësohet me Liverpulin 5.29 miliardë dhe Manchester Cityn që ka vlerën 4.99 miliardë dollarë.
Nuk mund të mungonin në dhjetë klubet me vlerën më të lartë në futbollin botëror emra si Bayern Munich apo Paris Saint Germain, përkatësisht në vendin e gjashtë dhe të shtatë.
Po ashtu sipas “Forbes”, futbolli vazhdon të jetë një biznes shumë fitimprurës, pasi ta ardhurat e klubeve të mëdha të futbollit janë rritur me 14% nga një vit më parë.