Para ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madrid, trajneri i Liverpool, Klopp, e ka pranuar se do të ishte më i kënaqur nëse do të kishte më shumë opsione për portën.
Alisson do të mungojë rreth tri javë, që do të thotë se do të humb së paku dy xhiro, përfshirë ndeshjen e kthimit në LK.
Adrian pritet të jetë zëvendësuesi i brazilianit, por Klopp nuk është më i lumturi për këtë.
“Situata me portierët nuk është e rehatshme, sigurisht, por ne kemi Adrian dhe kemi Andy Lonergan” ka thënë Klopp, transmeton lajmi.net.
“Kelleher është gjithashtu i lënduar, por Adrian ka pasur disa paraqitje shumë të mira për ne këtë sezon, kështu që përderisa nuk është mirë kur një lojtar i kualiteteve të Alisson nuk është i gatshëm, është mirë kur kemi zëvendësim” ka shtuar gjermani.
Liverpool do të ketë fillimisht një ndeshje sot, kundër Bournemouth, pastaj të mërkurën përballet me Atletico Madrid, ku është në disavantazhin e një goli nga ndeshja e parë.