Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka thënë se skuadra e tij nuk do të jetë në gjendje ta zërë kurrë Manchester Cityn nëse vazhdon të luajë si në disfatën 1:0 kundër Leicester Cityt të martën.
Të kuqtë patën vështirësi të krijonin raste shënimi dhe Mohamed Salah e humbi penalltinë në pjesën e parë, para se Ademola Lookman të shënonte për Leicesterin në minutën e 59-të.
Kjo disfatë e mban Liverpoolin gjashtë pikë mbrapa kampionit dhe liderit Manchester City dhe është një goditje ndaj shpresave të tij për titull në Premierligë.
City do t’i zhvillojë dy ndeshje para ndeshjes së ardhshme të Liverpoolit të dielën, 2 janar, kundër Chelseat, që do të thotë se djelmoshat e Kloppit mund të ngelin 12 pikë mbrapa skuadrës së Pep Guardiolës nëse ajo i fiton të dy ndeshjet.
“Chelsea dhe ne do të luajmë ndaj njëri-tjetrit, prandaj nuk do të mundë të fitojmë pikë të dy palët. Na vjen keq por plani ynë sonte nuk ishte t’ia jepnim mundësinë Cityt të na ikë neve”, tha Klopp.
“Por nëse luajmë si sonte (e marte), atëherë nuk duhet të mendojmë se si do ta kapim Cityn. Por nëse e luajmë futbollin tonë normal, mund t’i fitojmë ndeshjet normale”, shtoi ai.