Klauzolë stratosferike, Barcelona gati të blindojë mbrojtësin 17-vjeçar

Ndonëse vetëm 17 vjeç, Pau Cubarsi i ka bindur të gjithë te Barcelona. Mbrojtësi i talentuar, i rritur në akademitë e klubit “blaugrana”, debutoi vetëm në janar të këtij viti në kampionat dhe që atëherë numëron plot 13 ndeshje me fanellën e Barcelonës.

Ndonëse i ri, Cubarsi ka shfaqur një pjekuri dhe vigjilencë për t’u admiruar, aq sa me të në fushë, edhe skuadra e Xavit ka rigjetur ekuilibrat dhe ka ulur ndjeshëm mesataren e pësimit të golave.

Performanca e Cubarsit nuk i ka shpëtuar as trajnerit të kombëtares spanjolle, De la Fuente, që e grumbulloi dhe aktivizoi mbrojtësin 17-vjeçar në dy miqësoret e marsit ndaj Kolumbisë dhe Brazilit.

E në këtë situatë, te Barcelona kanë nisur punën për t’i rinovuar kontratën dhe për ta blinduar në mënyrë që Cubarsi të qëndrojë sa më gjatë në Katalunjë.

Media iberike bën me dije se kontrata aktuale e Cubarsit me Barcelonën vlen deri në verën e 2026-ës dhe ka një klauzolë prishjeje prej 15 milionë eurosh, shifër kjo modeste që shqetëson jo pak Laportën.

Pikërisht për këtë arsye Barcelona i ka ofruar 17-vjeçarit një kontratë të re, me pagë ndjeshëm më të lartë sesa ajo aktualja, kohëzgjatje deri në verën e 2029-ës dhe mbi të gjitha, një klauzolë prishjeje prej një miliardë eurosh.

Propozimi ka mbërritur tashmë te agjentët e mbrojtësit, që duhet ta shqyrtojnë dhe të vendosin, teksa gjasat janë që Cubarsi të pranojë rinovimin, pasi është i lidhur me klubin ku është rritur si futbollist e si njeri, Barcelonën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *