Andy Lonergan e ka quajtur Xherdan Shaqirin magjistar të vogël kundër të cilit kishte frikë të luante në seancat stërvitore të Liverpoolit, aq shumë saqë lutej që ai të ishte në një ekip të përbashkët me të.
Në gusht të vitit të kaluar, Lonergan iu bashkua Liverpoolit si portier rezervë pas Adrian dhe Alisson Becker, transmeton Gazeta Express.
Edhe pse nuk e ka bërë asnjë paraqitje gjatë sezonit 2019/20, 36-vjeçari ishte pjesë e skuadrës së Liverpoolit që e fitoi Premierligën, derisa kishte përfituar nga mundësia për të ushtruar çdo ditë me lojtarë të klasit botëror në Melwood.
Lonergan është lojtar i lirë tani pasi i mbaroi kontrata me të kuqtë, por është i hapur të nënshkruar kontratë të re në Anfield nëse i jepet mundësia.
Lonergan e ka pranuar se kishte pasur frikë të përballej me Xherdan Shaqirin, anësorin shqiptar të Zvicrës, i cili njihet si goditës madhështor i topit me këmbën e majtë të frikshme.
“Askush nuk më ka befasuar sepse të gjithë janë madhështorë”, tha Lonergan për Liverpool Echo.
“Por ai me të cilin nuk doja të përballesha ishte Shaqiri. Kur e godet ai topin, është në gjendje të bëjë çfarë të dojë me këmbën e tij të majtë. Kur luajmë pesë kundër pesë, gjithmonë them me vete ‘Të lutem ji në një ekip me mua’, sepse nëse është kundër teje, ai është magjistar i vogël me mënyrën sesi shënon”, tregoi ai.