Reagimi i Khabib Nurmagomedov ka qenë i shpejtë pas humbjes së Conor McGregor kundër rivalit Dustin Poirier, në kuadër të xhiros së UFC 257.
371 ditë nga përballja e tij e fundit, McGregor u nokautua për herë të parë në karrierën e tij në MMA, dhe pësoi disfatën e tij të tretë në oktogon nga duart e Poirier.
I njohur me nofkën “Diamanti”, Poirier e nokautoi kampionin e kësaj kategorie në raundin e dytë, pas një performance të shkëlqyer në “Etihad Arena” në Dubai.
Interesante ishte reagimi i menjëhershëm i kampionit të peshave të lehta Khabib Nurmagomedov, i cili e kishte mposhtur McGregorin në vitin 2018, në kuadër të xhiros së UFC 229, ku përmes rrjetit të tij social “Twitter” e përqeshi McGregorin.
“Kjo gjë ndodh kur e ndërron ekipin, i lë shokët që je përgatitur me ta, të cilët të kanë ndihmuar të bëhesh kampion, dhe tani duke ushtruar me fëmijë, larg nga realiteti të cilin e njohim”, tha Khabib në “Twitter”.
Po ashtu Khabib menjëherë pas humbjes së McGregor, i kishte thënë Dana White, i cili është kreu i UFC-së, që ai është shumë nivele më lartë se të tjerët.
“Jam shumë nivele mbi luftëtarët e tjerë të këtij oktogoni”, tha Khabib për White.
Pas humbjes, McGregor u prononcua për media duke treguar që do të kthehet për ndeshjen e dytë.
“Duhet ta harrojë dhe të mësoj nga kjo humbje, do të rikthehem më i fuqishëm. Shpresoj të kemi një përballje rikthimi”, tha McGregor.
Spekulimet vazhdojnë ende rreth një ndeshje rikthimi mes Khabib dhe McGregor, por si duket kampioni i peshave të lehta nuk e ka ndërmend njëherë të rikthehet nga pensionimi, ku këtë e konfirmoi edhe kreu i UFC-së Dana White.
“Ai më tha mua, Dana, bëhu i sinqertë me vetën tënde. Jam shumë më lartë se të tjerët. Nuk e besoj se do të kemi një rikthim të Khabib në oktogon, por asgjë nuk është definitive”, tha White për media.