Përfaqësuesja e Kosovës po vazhdon qëndrimin në kamp në Antalya të Turqisë tani e disa ditë.
Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes ka grumbulluar disa nga futbollistët që nuk kanë qenë më parë pjesë e Dardanëve dhe që janë potencial për të ardhmen.
Gjatë qëndrimit në Turqi, Kosova ka luajtur ndeshje miqësore me Guinenë (1-2), derisa sot do të përballet me një kundërshtar edhe më të fortë, Gambian.
Ndaj Guineas stadiumi ishte i mbushur nga agjentë të ndryshëm dhe skaut të klubeve të njohura turke.
Por edhe sot në ndeshje me Gambian shumë klube kanë dërguar drejtorët e tyre për ta parë nga afër ndeshjen.
Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar ekskluzivisht Kenan Kurteshi, organizator i këtij turneu në Antalya.
Kurteshi është me prejardhje nga Kosova, por që një kohë të gjatë jeton dhe vepron në Turqi, ku është edhe i licencuar nga FIFA për organizimin e turneve dhe ndeshjeve ndërkombëtare.
Ai ka treguar edhe emrat e skuadrave të cilat kanë kërkuar leje që stafi i tyre të jetë prezent në stadiumin ku zhvillohet takimi.
“Edhe në ndeshjen ndaj Guinesë ka pasur jashtëzakonisht shumë klube prezentë dhe agjentë të ndryshëm”.
“Kosova ka emër të madh në Turqi dhe futbollistët nga vendi ynë kanë bërë emër të madh dhe pëlqehen shumë nga klubet turke”.