Nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, ku u diskutuan një sërë çështjesh me rëndësi për mbarëvajtjen e futbollit kosovar.
Fillimisht, KE shqyrtoi rrjedhën e garave të këtij edicioni. U vlerësua se të gjitha ligat, përveç Albi Mall Superligës, tashmë kanë përmbyllur me sukses stinorin vjeshtor dhe se kampionatet kanë pasur zhvillim të rregullt. Në elitë kanë mbetur edhe dy xhiro deri në mbylljen e stinorit vjeshtor, për të cilat u shpreh besimi që do të zhvillohen me lojëra interesante dhe korrektësi sikur pjesa tjetër e garave. KE u ka uruar suksese dhe pushim të këndshëm të gjitha klubeve në prag të përfundimit të këtij viti, duke u shprehur mirënjohje për punën në rritjen e nivelit të futbollit në vendin tonë.
Në këtë mbledhje u vendos që ceremonia tradicionale “Laureatët 2025” të mbahet më 21 dhjetor, në hotel “Emerald”, me fillim nga ora 17:00. Komisioni për Laureatët tashmë është në finalizim të punëve rreth organizimit të kësaj ngjarjeje të rëndësishme, ku pjesëmarrës do të jetë komuniteti i futbollit dhe mysafirë të shumtë.
Gjithashtu, KE ka aprovuar edhe buxhetin për vitin 2026, ndërsa u diskutua edhe për ekipet kombëtare në të gjitha nivelet. Theksi i veçantë u vendos te Kombëtarja A dhe Kombëtarja U21, të cilat po zhvillojnë paraqitje shumë të mira dhe mbajnë ende gjallë shpresat për arritje të sukseseve historike.
Komiteti Ekzekutiv ka shqyrtuar dhe aprovuar edhe kërkesa e ankesa të ndryshme, si dhe një sërë rregulloresh të reja për vitin 2026, përfshirë rregulloret e administratës së brendshme të FFK-së. Po ashtu, u bë edhe analiza e ekipeve dhe shtabeve teknike të kategorive të reja.
Një nga vendimet e rëndësishme të kësaj mbledhjeje ishte miratimi i marrëveshjes me FIFA-n për hapjen e Akademisë së Futbollit në Hajvali, e para e këtij lloji në Ballkan, e dedikuar për identifikimin dhe zhvillimin e talenteve më të spikatura. Akademia do të përfshijë 20 vajza dhe 20 djem të grupmoshës 14–16 vjeç, ndërsa nga FIFA është caktuar edhe udhëheqësi i saj, Rainer Andreas Kraft, i cili do të punojë së bashku me Besim Ademin. Akademia do të ketë edhe stafin përcjellës dhe stafin mjekësor për funksionim sa më profesional.