Federata e Futbollit e Kosovës ka hyrë në ditët e fundit kur edhe do të zgjedh presidentin e saj për një mandat të ri katërvjeçar.
Autor: Ejup LLUMNICA
Tashmë janë dy kandidatë për të parin e këtij institucioni, Agim Ademi dhe Gramoz Vokrri.
Që të dy po e synojnë karrigen e FFK-së, e cila tash për tash po del të jetë sa e nxehtë, po aq edhe e dëshirueshme.
Këto ditë duket se askush më nuk po zgjedh rrugë sesi të vihet te ajo karrige. Aktualisht, po përdorën të gjitha alternativat, duke ia prishur kështu imazhin maksimalisht këtij institucioni.
Dje presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka qëndruar për disa orë në polici, pasi akuzohej se e kishte sulmuar fizikisht një punëtor të FFK-së, saktësisht drejtorin për marrëdhënie me jashtë Artan Govorin, shkruan Demokracia.com.
Në anën tjetër, një numër i madh i punëtorëve të FFK-së, duke përfshirë këtu edhe drejtuesin e tifozëve të Kombëtares së Kosovës, Lulëzim Berisha, këtë sulm e cilësuan inskenim nga opozita. Sipas tyre, e etiketuara si “opozitë” janë duke lëvizur çdo gurë vetëm për ta prishur imazhin e kryetarit aktual që të ulet edhe për një mandat në karrigen e të parit të FFK-së.
Pasi posti i FFK-së nuk është i dëshiruar vetëm në këtë muajin e fundit kur jemi në procesin zgjedhor, por shumë kohë më parë, kjo bindje është goxha e theksuar tek shumë sportdashës. Arianit Ahmeti e Eroll Salihu, që të dy të përjashtuar nga FFK, sipas burimeve brenda FFK-së, ka kohë që angazhohen për largimin e Agim Ademit, derisa ata tashmë kanë marrë mbështetje edhe nga figura të njohura si Remzi Ejupi e Gramoz Vokrri. Javë më parë, që të katërtit janë përmendur si kandidat për kryetar, por në fund të gjithë i mblodhën forcat dhe e vendosën Gramoz Vokrrin si të përzgjedhurin e tyre.
Ahmeti tashmë publikisht e ka pranuar se do të jetë “ushtar” i Vokrrit. Sido që të jetë, përkundër luftës së madhe të tyre, duket se delegatët së paku bazuar në nënshkrimet për kandidat janë pozicionuar krah presidentin aktual.
Ademi, i cili tashmë ka deklaruar se ka 44 nënshkrime nga delegatët duket se nuk do të ketë fare kundërkandidat, derisa më këtë nuk pajtohet Vokrri, i cili ka deponuar nënshkrimet e nevojshme që e vendosin atë si kandidat. Megjithatë, këto nënshkrime duhet të verifikohen nga Komisioni për Certifikimin e kandidatëve para se të zyrtarizohet kandidatura, shkruan Demokracia.com.
“Ju siguroj se së bashkë me stafin e FFK-së do të vazhdojmë punën e madhe që na pret në organizimin e një procesi zgjedhor ligjor dhe të rregullt për datën 06 prill 2022, si dhe në organizimin e ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës, kundër Burkina Fasos dhe Zvicrës këtë muaj”, ka shkruar Ademi menjëherë pasi u lirua nga policia, aty ku qëndroi për disa orë si i dyshuar për sulm ndaj Govorit.
Në anën tjetër, çuditërisht vetë Vokrri pas deponimit të nënshkrimeve e ka cilësuar si Kuvend të jashtëligjshëm, gjë të cilën vazhdon ta thotë edhe Eroll Salihu, duke cilësuar se “pa marrë parasysh kush fiton, Vokrri apo Ademi do të jenë të jashtëligjshëm”.
Mirëpo, kështu nuk mendon edhe ushtruesi i detyrës së sekretarit të FFK-së, Taulant Hodaj, që thotë se Kuvendi i 6 prillit është në përputhje me statutin dhe rregulloren e FFK-së.
Demokracia.com ka kontaktuar edhe dy emra eminent të futbollit tonë, Arbnor Morina dhe Afrim Tovërlani, për të marrë një opinion rreth kësaj situate. Tovërlani ka deklaruar se është në Prizren dhe nuk ka kohë, derisa Morina ka vlerësuar që ka kohë që është larg këtyre rrjedhave.
Ashiqare kjo nënkupton se asnjëri prej tyre nuk po duan të bëhen pjesë e këtij debati të nxehtë dhe është e kuptueshme, pasi kontributi i tyre në futboll është i jashtëzakonshëm dhe nuk duan të përfshihen në këtë situatë.
Në anën tjetër edhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit nuk është se ka dal me një sqarim konkret, përveç një thirrjeje ku u ka kërkuar të gjithëve të respektohen ligjet e sportit.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) po e ndjek me vëmendje rrjedhën e zhvillimeve në Federatën e Futbollit të Kosovës, veçanërisht debatet e fundit rreth respektimit ose jo të normave statutare të FFK-së në raport me procesin zgjedhor. Kredibiliteti, gjithëpërfshirja, respektimi i normave të së drejtës si dhe mundësitë e barabarta në organizata e federata sportive, janë parimet udhëheqëse mbi të cilat Ministria e Sportit ndërton dhe promovon bashkëpunimin me këto federata/organizata. Ne jemi duke punuar intensivisht në reformimin e kornizës së politikave publike dhe asaj ligjore në fushën e sportit e cila do të ndryshojë rrënjësisht shpërndarjen e resurseve publike dhe përdorimin e masave administrative në funksion të arritjes së qëllimeve e objektivave strategjike të Qeverisë për sportin si nxitës i zhvillimit të qëndrueshëm”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Situatën e fundit në futbollin tonë e ka komentuar edhe zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Faton Zylbehari. Ai me keqardhje e sheh këtë situatë që po kalon futbolli ynë në Kosovë, por edhe ai në Shqipëri para disa ditëve.
“Fatkeqësisht përzierja e politikës po shndërrohet në një fenomen të keq. Një fenomen që po e njollos, jo vetëm futbollin, por edhe procesin demokratik të zgjedhjes, qoftë të presidentit apo edhe Komitetit Ekzekutiv. Interesante është se ajo që po ndodh në Kosovë dhe ajo që ka ndodhur në Shqipëri për ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut është diçka e njohur, sepse ne e kaluam këtë gjë një vit përpara”, ka thënë Zylbehari për Demokracia.com.
“Mos të bëhemi injorant të themi se nuk ka asnjëherë përzierje që politika të mos ketë dorë në sport, konkretisht në futboll. Mirëpo, mënyra sesi provohet të bëhet në Shqipëri, Kosovë apo edhe në Maqedoni të Veriut është e palejueshme. Është shumë e qartë. FIFA dhe UEFA nuk lejojnë. Nga UEFA erdhi mesazhi tek ne shumë i qartë dhe i shkurt: Doni të luani në Kampionat Evropian apo jo. Politika e kuptoi këtë, sepse ishte ultimatum dhe nuk kishin zgjidhje tjetër. Politika u tërhoq dhe Muamed Sejdini mori mandat të ri dhe vijon deri në vitin 2025 mandatin aktual. Ne e dimë që politika tek ne, tek ju dhe në Shqipëri kontrollon pjesën më të madhe të institucioneve dhe përmes kësaj mënyre kërkojnë të futen edhe në futboll. Unë duke qenë brenda futbollit e di shumë qartë se ka mënyra sesi instalohen njerëz këtu në çdo fushëveprim, mirëpo jo kështu përmes përzierjes direkte, sepse diçka eventuale e tillë do të dëmtonte jo vetëm imazhin e futbollit, por edhe mbarëvajtjen. Në momentin që UEFA shikon se ka përzierje të politikës mund të ketë pasoja serioze për të cilat secili duhet të jep llogari. Procesi zgjedhor duhet të jetë demokratik”, përfundon Zylbehari deklaratën e tij për Demokracia.com.
Se çfarë do të ndodhë deri më 6 prill 2022 mbetët të shihet, por situata në terren nuk duket aspak e mirë dhe kjo situatë duhet të marrë fund sa më shpejtë, në mënyrë që të ruhet komuniteti i futbollit tonë.