Karim Benzema, njeriu i rekordeve

Sulmuesi francez u bë golashënuesi i tretë më i mirë në histori të Real Madridit, po shkon me hapa të sigurt drejt thyerjes së rekordeve me “Los Blancos”

Karim Benzema e ndihmoi Real Madridin të shkojë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Sulmuesi francez realizoi hat-trick ndaj Paris Saint-Germainit.

Dhe, tash është koha për t’i bërë llogaritë pas formës së jashtëzakonshme që po e kalon ai.

Benzema arriti në kuotën e 30 golave dhe 12 asisteve këtë sezon, shkruan “Gazeta Express”.

Kështu, ai bëhet lojtari i dytë në ligat më të forta të futbollit evropian që është përfshirë në 40 a më shumë gola këtë sezon, pas Robert Lewandowskit.

Francezi me këtë rast arriti në kuotën e 309 golave në fanellën e Realit në të gjitha garat.

Ai bëhet golashënuesi i tretë më i mirë në histori të klubit pas Cristiano Ronaldos, që i ka 450 gola dhe Raulit, 323.

Benzema e kaloi legjendarin Alfredo Di Stefano, që i kishte shënuar 308 gola.

Kjo është hera e katërt që Benzema i shënon 30 apo më shumë gola brenda një sezoni tek Reali.

Ish-futbollisti i Lyonit u bë edhe lojtari më i vjetër në histori të Championsit që shënon hat-trick me 34 vjet e 80 ditë.

Ndër të tjera, ai bëhet edhe lojtari i parë që shënon gola në 18 sezone radhazi në Ligën e Kampionëve.

Benzema shkoi në kuotën e 79 golave në Champions, prej tyre 67 me Realin dhe kështu e kaloi Raulin, që i kishte shënuar 66.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *