Kandidati për presidencën e Realit: “Do ta largojë Zidanin, do ta kthejë Ronaldon”

Biznesmeni në fushën e energjisë së rinovueshme, Enrique Riquelme ka vendosur t’i bëjë konkurrencë Florentino Perezit në garën për presidencën e klubit të Realit të Madridit, që pritet të mbahet këtë vit.

Perez ka fituar tre palë zgjedhje radhazi, megjithatë nuk dihet nëse do të konfirmohet për një tjetër mandat, pasi 32-vjeçari spanjoll Riquelme duket i vendosur ta sfidojë dhe t’i marrë karrigen e presidencës së klubit më të titulluar në Europë.

Në një intervistë të dhënë për mediat spanjolle, Riquelme pranoi se dëshiron të rikthejë në Madrid një nga futbollistët që ka lënë më shumë gjurmë aty, Cristiano Ronaldon, i cili aktualisht është pjesë e italianëve të Juventusit.

“Ka dhënë shumë për futbollin dhe për Real Madridit, ndaj do të kem si objektiv ta rikthej sërish në “Santiago Bernabeu”. Për mua nuk ekzistojnë futbollistë të vjetër dhe të rinj, por të fortë dhe më pak të fortë”, deklaroi Riquelme.

Nëse biznesmeni 32-vjeçar ia del të fitojë zgjedhjet, atëherë Zinedine Zidane duhet të bëjë gati valixhet për të lënë Madridin, pasi Riquelme pranon se nuk i pëlqen aspak stili i lojës i trajnerit francez.

“Zidane nuk do të ishte trajneri i Realit tim, por drejtuesit do të punonin për të afruar një trajner tjetër, sigurisht me një strategji tjetër loje. Personalisht më pëlqen shumë Klopp, por edhe Raul po bën shumë mirë dhe është një emër që ka mbështetjen e të gjithëve”, u shpreh Riquelme.

Për të garuar për presidencën e Realit të Madridit duhet të kesh qenë minimalisht 20 vite anëtar i klubit dhe të garantosh të paktën 15% të vlerës së klubit, ose rreth 92 milionë euro, kritere këto që Riquelme i plotëson të dyja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *