Promotori i Tyson Furyt, Frank Warren, ka zbuluar se meçi i tretë mes boksierit britanik dhe Deontay Wilderit do të zhvillohet gjatë muajit korrik dhe me siguri nuk do të jetë në Britani të Madhe.
Boksieri britanik Fury e rrëzoi nga froni Wilderin me një paraqitje brilante për t’u bërë kampion i ri në WBC dhe për ta mbështetur pretendimin si boksieri më i mirë në botë në kategorinë e rëndë, raporton Gazeta Express.
Fury e rrëzoi Wilderin në dysheme dy herë në rundet tre dhe pesë, para se ekipi i amerikanit ta hidhte peshqirin në ring në rundin e shtatë, duke e dorëzuar meçin
Wilderi e pësoi një çarje në vesh pas një serie grushtesh nga Fury, gjë që çoi në dorëzimin e meçit, i pari i humbur në karrierës e bujshme të amerikanit 34-vjeçar.
Në meçin e parë mes tyre në dhjetor të vitit 2018 nuk pati fitues, pasi lufta u mbyll me një barazim kontrovers, ndërsa Wilderi ka thënë se ka vendosur ta shfrytëzojë klauzolën në kontratën e tij me Furyn për ta thirrur edhe një meç të tretë mes dyshes.
“Deontay nuk e ka aktivizuar ende zyrtarisht klauzolën në kontratën e tij për rimeç, mirëpo ai e bëri të qartë se do ta bëjë këtë gjë shumë shpejt. Nuk kam asnjë dyshim për këtë”, tha Warren.
“Nëse ne do ta zhvillojmë atë meç, do të më pëlqente ta zhvillojmë këtu në Britani të Madhe, mirëpo për momentin është e vendosur për në Las Vegas në korrik. Tysoni ia ka vënë syrin stadiumin Allegiant, që i zë 65 mijë tifozë”.