Prokurori i federatës italiane Giuseppe Chine ka kërkuar që Juventusit t’i jepet një zbritje prej 11 pikësh në gjykimin për mashtrime financiare me fitimet kapitale.
Sot do të merret vendimi përfundimtar rreth kësaj çështje pasi gjyqi i parë ndodhi në maj 2022 dhe klubi u shpall i pafajshëm përpara se të dilnin prova të reja nga hetimi në fjalë.
Juventusi është akuzuar për falsifikimin e fitimeve të tyre kapitale përmes rritjes së vlerave të transfertave të lojtarëve. Apelimi i tyre i fundit në Collegio di Garanzia ishte pjesërisht i suksesshëm dhe u anulua përkohësisht dënimi i tyre prej 15 pikësh në pritje të këtij gjyqi të tretë.
Chine ka kërkuar që Juventusit t’i jepet një zbritje e re prej 11 pikësh dhe gjithashtu ka kërkuar një pezullim prej tetë muajsh për Pavel Nedved, Paolo Garimberti, Assia Grazioli-Venier, Caitlin Mary Hughes, Daniela Marilungo, Francesco Roncaglio dhe Enrico Vellano.
Në rast të një dënimi të tillë, Juventusi do të mbetej jashtë Ligës së Kampionëve në sezonin e ardhshëm.