Juventus e nis me hap fals aventurën në fazën e 1/16-tave të Europa League. Bardhezinjtë nuk shkuan më shumë se barazimi zhgënjyes 1-1 në shtëpi përballë Nantes, teksa nuk mundën të ruanin avantazhin edhe pse ishin të parët që kalian në avantazh.
Torinezët e nisën sfidën në mënyrën e duhur teksa shënuan në minutën e 13-të të pjesës së parë falë një kombinimi të treshes Di Maria-Chiesa-Vlahovic. Ishte sulmuesi serb që konkretizoi duke shfrytëzuar pasimin e Chiesës teksa Vlahovic e pati shumë të lehtë për të realizuar me të gjithë portën në dispozicion.
Në vijim ishte Di Maria një nga protagonistët kryesorë që tentoi disa herë kuadratin e kundërshtarëve, por pa gjetur rrugën e rrjetës. Nga ana tjetër, francezët u zgjuan në pjesën e dytë dhe me anë të një kundërsulmi gjetën të papërgatitur italianët teksa ai që i ndëshkoi ishte Blas në minutën e 60-të. Rezultati nuk ndryshoi deri në fund dhe tashmë gjithçka mbetet për t’u vendosur në ndeshjen e kthimit në Francë pas një jave.
Në ndeshjet e tjera, Sevilla mposhti lehtësisht në shtëpi me rezultatin 3-0 PSV duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt fazës së ardhshme ndërsa Bayer Leverkusen humbi 2-3 me Monacon dhe Sportingu barazoi 1-1 në shtëpi ndaj Mydtjalland.