Boksieri britanik Anthony Joshua, kampion bote në peshën e rëndë (IBF, WBA, WBO) ka vënë në dilemë dy sfidat që ai ka planifikuar vitin tjetër me Tyson Fury.
Joshua u shpreh sot se ai është më pranë zhvillimit të një dueli me ukrainasin Oleksandr Usyk se sa me patriotin e tij Fury, që mban titullin e kategorisë WBC.
“Unë nuk e di nëse Fury do të duelojë më Wilder apo jo. Nuk e di nëse ai do të duelojë më Kabayel apo jo. Ai deklaroi se do të përballet me mua, por nuk e ka firmosur marrëveshjen dhe ne nuk po duelojmë”, tha Joshua.
“Unë nuk e di se çfarë do të ndodhë vitin tjetër, por nëse do të vija bast të gjitha paratë e mia, do të thosha se do të përballem me Usyk. Ai është pjesë e kompanisë Matchroom si unë, i pamposhtur, kampion bote dhe i mandatuar”, shtoi Joshua.
“Kur ai thotë se do të përballet me dikë, ai e realizon këtë gjë”, tha Joshua, 23 fitore e 1 humbje në karrierën e tij. Joshua do të mbrojë më 12 dhjetor titujt kampionë bote në një duel ndaj Kubrat Pulev, në Londër.