Java e 31-të e Kategorisë Superiore ngre siparin këtë të shtunë me dy sfida shumë interesante. Europa për Partizanin kalon nga sfida me Laçin.
Të kuqtë dhe kurbinasit janë eliminuar nga Kupa e Shqipërisë që në raundin e 1/8-ave dhe kanë patur një javë kohë për të përgatitur këtë sfidë delikate për të dyja skuadrat.
Laçi aktualisht pozicionohet në vendin e 3-të dhe për momentin është skuadra e fundit që siguron një vend në kompeticionet europiane për sezonin e ardhshëm.
5 pikë është diferenca mes kurbinasve dhe Partizanit të Adolfo Sormanit që u rikthye në rrugën e duhur pas dy fitoreve rresht ndaj dy kudërshtarëve të rënë nga kategoria, Luftëtarit dhe Flamurtarit, por prova e vërtetë gjenerale për kampionët e Shqipërisë është sfida ndaj skuadrës së Armando Cungut.
Laçi gjithmonë ka rezultuar një kockë e fortë për Partizanin teksa në 6 sfidat e fundit të kuqtë kanë fituar vetëm 2 herë.
Skuadra e Cungut do të kënaqej edhe me një barazim në këtë duel ndërkohë që Partizanin, fitorja është treni i fundit për Europën duke patur parasysh që edhe kalendari sa vjen e vështirësohet.
Në orën 17:00 përveç takimit Partizani-Laçi do të keni mundësi të ndiqni edhe sfidën Flamurtari-Luftëtari, një ndeshje mes dy skuadrave që vitin e ardhshëm do të sfidohen në Kategorinë e Parë.
Me një fitore Flamurtari do të parakalonte pikërisht bluzinjtë në renditje dhe një sukses në këtë ndeshje konsiderohet i rëndësishëm për vetë faktin pasi luhet për të evituar pozicionin e fundit në renditje./SS/