Superliga e Kosovës ka mbyllur javën e 15-të, ku nuk munguan rezultatet befasuese, ndërsa renditja është ndarë në dy pjesë.
Në fillim të këtij shekulli nga gazetarët tanë sportivë, shpesh përdorej titulli: “Ndahet shapi nga sheqeri”, duke përshkruar renditjen tabelore, kur ndahej në dy pjesë, gjë që po ndodh tani në këtë edicion të Superligës së Kosovës.
Drita ka bërë një hap të madh tutje drejt titullit të kampionit, duke krijuar tashmë epërsi me ndjekësit, posaqërisht pas fitore ndaj Ballkanit si mysafir me rezultat 3-2.
Befasinë më të madhe e shkaktoi Feronikeli 74 që mposhti Suharekën me rezultat 3-1 në “Rexhep Rexhepi”.
Në anën tjetër, Llapi nuk ka arritur të marr më shumë se një barazim ndaj Ferizajt (1-1).
Prishtina mori një fitore të madhe ndaj Dukagjinit si mysafir me rezultat 1-0, ndërsa me të njëjtin rezultat si mysafir fitoi edhe Malisheva ndaj Gjilanit.
Drita është lider me 34 pikë, duke krijuar një epërsi prej gjashtë pikësh me ndjekësin më të afërt, Malishevën që ka 28 pikë.
Ballkani ka mbetur i treti me 26 pikë, një më shumë se Prishtina që ka 25 pikë dhe mban vendin e katërt.
Këto skuadra duket se do të luftojnë për pozitat e para që dërgojnë në Evropë, ndërsa pjesa tjetër nga vendin i pestë deri në vendin e nëntë kanë vetëm tri pikë diferencë.
Suhareka është e pesta me 19 pikë, ndërsa Gjilani, Llapi dhe Dukagjini kanë nga 17 pikë në pozitat gjashtë, shtatë dhe tetë.
Me 16 pikë, Ferizaj është në vendin e nëntë, ndërsa Feronikeli 74 edhe përkundër fitores mbetet i fundit me vetëm 6 pikë.
Në javën e ardhshme takohen: Drita – Dukagjini, Ferizaj – Ballkani, Malisheva – Feronikel 74, Prishtina – Gjilani, Suhareka – Llapi.