Federata e Futbollit e Kosovës sqaron opinionin se ndeshja kualifikuese për Euro 2021 në konkurrencën e femrave, Kosovë – Rusi, zhvillohet në Gjermani me vendim të UEFA-s.
Kjo e fundit për shkaqe të njohura politike ka vendosur që të dyja ndeshjet Kosovë-Rusi të zhvillohen në terren neutral, derisa ka udhëzuar administratën e vet që në çdo short të ardhshëm të garave që i organizon ajo të evitohen përballjet e Kosovës me tri shtete: Serbinë, Bosnje e Hercegovinën dhe Rusinë, deri në një vendim tjetër.
Ndërkohë, të gjitha shtetet e tjera anëtare të UEFA-s janë të obliguara që t’i zhvillojnë ndeshjet me Kosovën dhe t’ia mundësojnë asaj hyrjen në vendin e tyre pa marrë parasysh nëse e kanë njohur apo jo pavarësinë e saj.
Së këndejmi, FFK i vlerëson tendencioze dhe qëllimkëqija publikimet e vazhdueshme të disa portaleve, të cilat janë të ndikuara nga persona që synojnë destabilizimin e FFK-së.
FFK ka qenë këmbëngulëse që ndeshja të zhvillohej në Kosovë, por autoritetet e UEFA-s kanë vendosur ndryshe. FFK ka propozuar si alternativë stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, por as kjo kërkesë nuk është marrë parasysh nga UEFA dhe përfundimisht është vendosur që ndeshja të zhvillohet në Wiesbaden.
Pra, jo për t’ia plotësuar qejfet Rusisë, siç ka raportuar një portal dashakeqës i futbollit të Kosovës, por thjesht ashtu siç ka vendosur institucioni më i lartë i futbollit evropian.
Andaj edhe njëherë ftojmë opinionin që të mos bie pre e lajmeve të rrejshme dhe tendencioze të disa portaleve, të cilave po iu pengojnë rezultatet e arritura, puna e drejtë dhe e suksesshme e drejtuesve të FFK-së.